Presioni mbi Bashën/ Amerikanët kërkojnë largimin e Berishës nga selia e PD

Sa më shumë kohë të kalojë, aq më i madh do të jetë presioni mbi kreun e PD-së Lulzim Bashën për të marrë një vendim, nëse është në anën e Berishës, apo në anën e amerikanëve. Deri tani ia ka dalë t’i japë formë një dyzimi “as mish as peshk” në lidhje me shpalljen e Sali Berishës “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Kur gazetarët e pyetën në konferencën e të enjtes, iu shmang përgjigjes.

Por këtë nuk mund ta bëjë edhe për shumë kohë. Ambasadorja Juri Kim vendosi ta mediatizojë trysninë ndaj Bashës dhe gjithë PD-së këtë të premte përmes një deklaratë të fortë nga selia blu.

Më e drejtpërdrejtë, nuk mund të ishte ambasadorja kur tha “do të ishte një ironi historike por edhe një tragjedi për këtë vend, jo vetëm për partinë, nëse partia do “të hante bar” për hir të interesave personale të një njeriu.”

Me “distancë” nga Sali Berisha, ambasada kupton përjashtimin e tij nga grupi parlamentar i PD. “Kryetarët e partive do të futen në Kuvend dhe është e rëndësishme që të mund të shoqërohen nga deputetë që e meritojnë përfaqësimin e Shqipërisë. Do të jetë e rëndësishme që Partia Demokratike të mendojë për këtë çështje. Sikur e kam thënë edhe më parë, PD ka ruajtur një rol të pazëvendësueshëm për ta nxjerrë këtë vend nga diktatura nga komunizmi” tha ambasadorja.

Megjithëse i pozicionuar përballë superfuqisë së Departamentit Amerikan të Shtetit, Sali Berisha nuk bëri hapa pas. Kur u shpall “non grata” për korrupsion madhor, fillimisht paditi në Francë për shpifje sekretarin Blinken. Pastaj ktheu sytë nga PD dhe la të hapur idenë se edhe mund të rikthehej për ta rimarrë prap drejtimin e partisë.

Artikuj të ngjashem

Instagram

Më të lexuarat