Muaji gusht i hapur për vaksinimin +18 vjeç; Niveli më i lartë në Gjirokastër, 60% e popullatës me dy doza

Muaji gusht do të jetë muaj i hapur për vaksinimin e qytetarëve +18 vjeç, deklaroi ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu.

“Ne kemi vendosur që muaji gusht të jetë një muaj i hapur për të gjitha grupmoshat +18 vjeç, për të kryer vaksinën kudo në qendrat shëndetësore apo në pikat e vaksinimit të përqëndruar. Do të jetë një muaj që ne do ta konsiderojmë muaj sulmi, për të vaksinuar qytetarët e grupmoshës +18 vjeç”, deklaroi Manastirliu.

Në spital vihet re një rritje e numrit të të shtruarve, që i përkasin kryesisht të moshuarve mbi 60 vjeç. Ministrja u bëri thirrje të vaksinohen, pasi janë kategoria më e rrezikuar.

“Numrat janë rritur në mënyrë të lehtë, po ashtu shtrimet në spitale, ku ajo çfarë vihet re është që qytetarët që janë shtruar në spital nuk janë të vaksinuar dhe janë të grupmoshave +70 vjeç, +60 vjeç, që do të thotë që ka ende qytetarë që nuk janë vaksinuar, që i përkasin grupeve të riskut, ndaj një apel nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale: Vaksinimi është një detyrim qytetar, detyrim moral, për të mbrojtur veten për të mbrojtur të gjithë ata që ne duam” – nënvizoi Manastirliu.

Mbulesa vaksinale për doza të para dhe të dyta është rritur, kryesisht në Tiranë, Gjirokastër, Mirditë etj

Shefja e Epidemilogjisë dhe Sëmundjeve Infektive në ISHP, Prof. Silva Bino tha se 24% e popullatës së përgjithshme kanë mbaruar procesin e vaksinimit. Gjirokastra ka nivelin më të lartë të vaksinimit.

“Mbulesa vaksinale po rritet, sidomos ajo që është e rëndësishme po rritet mbulesa me dy dozat. Pra jemi 24% e popullatës me dy doza. Kemi dhe rrethe që janë 60% e popullatës, si Gjirokastra, apo Mirdita që është 40% e popullatës. Kohët e fundit sidomos me javën e hapur të vaksinimit niveli i mbulesës vaksinale është rritur ndjeshëm”, tha Bino.

Ministrja Manastirliu i ka bërë apel studentëve të vaksinohen gjatë muajit të hapur dhe përpara fillimit të sezonit të ri akademik.

“Eshtë e rëndësishme një thirrje për studentët, për t’u vaksinuar sepse shtatori, tetori, fillimi i shkollës sigurisht që do të na përballë me rritjen e kontakteve, me ato grumbullime të cilat ndonjëherë janë të pashmangshme, por nëse jemi të vaksinaur të paktën kemi të garantuar që shmangim komplikacionet dhe format e rënda të sëmundjes dhe sigurisht edhe fatalitetet”, tha Manastirliu

Prej fillimit të këtij procesi janë kryer në total 1,168,308 doza të vaksinës ndaj COVID19. 512,625 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës antiCOVID.

Artikuj të ngjashem

Instagram

Më të lexuarat