Policia përdori dronë për ta gjetur/ Kapet pas dy ditësh burri që plagosi motrën me armë

Dy ditë ka zgjatur arratia e Seit Danajt, 60-vjeçari, i cili në datën 2 korrik qëlloi me çifte motrën e tij Bukuroshe Hoxha duke e lënë të plagosur.

Sipas bluve të qytetit bregdetar, 60-vjeçari ka qenë nën efektin e alkoolit kur ka ndodhur ngjarja.

Seit Danaj do të akuzohet tani për veprat penale “Vrasja për shkak të rrethanave familjare”, mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.

Ndërkohë motra e tij, ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Menjëherë pas plagosjes, autori i dyshuar arriti të largohej duke u fshehur në një zonë pyjore pranë fshatit ku ndodhi ngjarja. Zona është tejet e pyllëzuar dhe policia përdori edhe dronë në përpjekje për ta lokalizuar 60 vjeçarin.

Në vijim të veprimeve hetimore të kryera për ngjarjen e ndodhur në datën 02.07.2021, në fshatin Bishan, Vlorë, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë u bë ndalimi për veprat penale “Vrasja për shkak të rrethanave familjare”, mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, i shtetasit S. D., 63 vjeç, banues në fshatin Bishan.

Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi më datë 02.07.2021, gjatë një konflikti për motive të dobëta dyshohet se nën efektin e alkoolit ka plagosur me armë gjahu (çifte), në pjesën e këmbëve, motrën e tij, shtetasen B. H., 66 vjeçe, e cila ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Artikuj të ngjashem

Instagram

Më të lexuarat