Vizita e Kim tek SPAK, ambasadorja përgëzon hetuesit

Ambasadorja Yuri Kim ka vizituar diten e sotme SPAK ku ka përgëzuar grupin e hetuesve të BKH-së. Mësohet se qeveria amerikane ka dhuruar 100 mijë Dollarë në pajisje hetimore për BKH-në.

Në një deklaratë për shtyp thuhet se Kim ka përgëzuar hetuesit e rinj për detyrën dhe thotë se puna e tyre e vështirë është thelbësore për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Ambasadorja Yuri Kim vizitoi SPAK, ku qeveria amerikane dhuroi dje mbi 100,000 dollarë në pajisje hetimore për BKH-në. Ambasadorja përgëzoi grupin e hetuesve, aktualisht në trajnim, të cilët u përzgjodhën nga qindra aplikantë pasi përfunduan me sukses një proces shumë selektiv dhe rigoroz, që përfshinte testime me shkrim, verbale, dhe të aftësisë fizike; verifikime të pasurisë, si dhe kontrolle të së kaluarës dhe integritetit të tyre. Ajo përsëriti mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe i nxiti ata të këmbëngulin në punën e tyre të vështirë, e cila është thelbësore për luftën e Shqipërisë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, thuhet ne statusin ne faqen e Ambasades Amerikane.