Kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi ka hedhur akuza të forta ndaj Ministrisë së Turizmit dhe Agjencisë së Bregdetit, të cilat sipas saj kanë dështuar me procesin e ndarjes së stacioneve të plazhit.
Për mediat, Ademi tha se nuk ka ndodhur që në 1 korrik plazhi të mos i ketë hapësirat e ndara.
Shembullin konkret ajo e solli nga Velipoja, duke deklaruar se sot që flasim vetëm katër subjekte kanë marrë kontratat.
Ademi: Në plazhin e Velipojës deri tani janë vetëm katër subjekte që kanë marrë kontratat për stacionet e plazhit ndërkohë me dhjetëra të tjerë janë akoma në proces.Ministria akoma nuk ka përfunduar ashtu siç do të duhet ta kishte përfunduar para fillimit të sezonit turistik ndarjen e stacioneve të plazhit për hapësirat që vetë i ka miratuar.
Ka një mënyrë tjetër për ta bërë këtë pa përdorur presionin publik, pa dëmtuar imazhin publik. E para gjë që do të duhet të bëjmë është që me një bashkëpunim të afërt me pushtetin vendor të marrin të gjithë informacionin që u duhet. Nuk ka ndodhur asnjëherë që me 1 korrik të mos kemi të ndarë stacionet e plazhit.
Zakonisht në korrik kemi filluar monitorimin e zbatimit të kontratave dhe kemi vijuar me lirimin e atyre hapësirave publike por ndërkohë të gjithë kanë qenë në punë, që është një normë sigurie për të gjithë bizneset që funksionojnë atje. Së dyti, në katër vite që është administruar nga pushteti vendor në të gjithë Shqipërinë jo vetëm për Shkodrën, nuk kemi pasur ngjarje të tilla të rënda, të paimagjinueshme, të paprecedenta.
Fakti që ka mosmarrëveshje të tilla në bregdetin e Shqipërisë është një tregues i mirë për të thënë që çdo gjë territoriale duhet të menaxhohet në nivelin territorial ashtu sikurse ligji ja ka përcaktuar pushtetit vendor. Çdo marrje kompetence apo vendimmarrje lë për të dëshiruar, në emër të gjoja transparencës por në fakt është korruptive, nuk ka vend dhe sjell pikërisht këtë çfarë ndodh në territor, konflikte që mendoj se duhet të ishin parandaluar.