Bledi Çuçi ka vendosur në lëvizje armatëne e Policisë së Shtetit të paralajmëruara pak ditë më parë pas ngjarjeve kriminale që tronditën vendin.
Burime sqaruan se i pari që është larguar është Gjovalin Loka, drejtor i Sigurisë Publike në Policinë e Shtetit. Loka mbante këtë post që prej vitit 2018.
Pas largimit nga detyra, Loka pritet të caktohet si pjesë e trupës drejtuese të Policisë në Akademinë e Sigurisë. Mësohet se pas Lokës, lëvizje pritet të ketë edhe në departamente të tjera në Policinë e Shtetit.
Lëvizjet vijnë pas një sërë ngjarjesh kriminale që kanë ndodhur në Shqipëri përgjatë muajve të fundit dhe kulmuan me aksidentin tragjik në Fier-Vlorë dhe masakrën me 4 të vrarë në Velipojë.
Ministri i Brendshëm dhe kryeministri kanë paralajmëruar një valë ndryshimesh në nivel drejtuesish në Policinë e Shtetit. Por edhe pse priten lëvizje në radhët e para të drejtuesve, i paprekur nga ndryshimet është Ardi Veliu, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Veliu nuk është larguar nga detyra edhe pse një sërë skandalesh kanë përfshirë strukturat gjatë drejtimit të tij.