“Basha po kandidon në mënyrë jo morale”, Harxhi: Më 25 prill s´ka pasur masakër elektorale…

Edith Harxhi, e cila kandidon për postin e Kreut të PD në zgjedhjet e 13 qershorit, u shpreh sot se në 25 prill nuk ka pasur masakër elektorale, por vjedhje dhe tjetërsim.

E pranishme në Radarin Informativ në ABC, Harxhi tha se sot janë hapur disa kuti për Durrësin dhe PD e LSI nuk kanë marrë më të mirën e tyre më të mundshme, madje mendoj se nuk ka qenë e udhës ta bënin këtë lëvizje.

“Masakër elektorale nuk ka pasur, ka pasur vjedhje dhe tjetërsim, por kjo ka ndodhur para 25 prillit.

Urdhëro, provoje, cilat janë provat? Patronazhistët që dolën nga PS, është një skemë e përdorur në Maqedoni nga Gruevski në vitet e fundit të tij. PD në 25 prill mori po të njëjtin numër mandatash si në 2017, e dyta pjesëmarrja ka qenë 46% dhe PD nuk e ka rritur. Duhet të rritet pjesëmarrja në zgjedhje, por së pari duhet të rritet besimi, por opozita nuk ishte në gjendje të frymëzonte, nuk kishte frymëzuar askënd”, tha ajo.

Në mbledhjen e Kryesisë së nPD-së kur u miratuan kandidaturat, disa nga anëtarët thanë se Harxhi nuk ka bërë fushatë për partinë në 25 prill, që ishte një nga kushtet për të qenë pjesë e garës, por ish-zv/ ministrja e hedh poshtë këtë pretendim.

“Unë kam bërë fushatë, kam telefonuar disa nga miqtë e mi në Tiranë dhe u kam thënë “jam e gatshme t’ju ndihmoj”, nuk kam pasur zonë, fushatën e kam bërë përmes medieve jo në terren, ashtu sikur Basha nuk ka bërë fushatë në 1991. Basha e ka filluar në 2005 fushatën elektorale. Kontributi im është aty, i vërtetueshëm. Të gjithë ata që janë të hershëm në PD më njohin që jam anëtare e Studentëve të Dhjetorit”, tha ajo.

Harxhi u shpreh se Kadillin e ka mik dhe për Shehajn tha se është deputet i nderuar, por theksoi se garën e ka vetëm me Lulzim Bashën.

“Gara ime është me Bashën, nuk është me Kadillin që e kam mik, as me Shehajn që është një deputet i nderuar. Unë garën e kam me zotin Lulzim Basha, pasi ai po kandidon në mënyrë jo morale”, tha ajo

Artikuj të ngjashem

Instagram

Më të lexuarat