Eksportet dyfishohen në prill! Për 4 mujorin, vetëm tekstile e këpucë mbeten në krizë, nuk kapin nivelet e para pandemisë

Pas marsit, eksportet kanë vijuar të shënojnë një rritje të fortë edhe në prill, duke rikuperuar humbjet që shënuan në të njëjtët muaj të një viti më parë, kur karantina e vendosur pothuajse në gjithë Europën dëmtoi rëndë shitjet jashtë vendit, me përjashtim të grupit të ushqimeve.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se në Prill 2021 eksportet e mallrave arritën vlerën 29 mld lekë, duke u rritur me 92,3%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe ulur me 9,5%, në krahasim me Mars 2021.

Edhe në krahasim me prillin 2019, eksportet në prill janë në rritje me 7.3%, duke i arritur me shpejtësi nivelet e para krizës.

Për 4 mujorin, eksportet u rritën me 35% me bazë vjetore, duke arritur në 109 miliardë lekë. Edhe në raport me 4 mujorin 2019, tendenca është sërish në zgjerim, me +10%.

Me përjashtim të tekstileve e këpucëve, grupet e tjera, po rriten me shpejtësi, duke i tejkaluar nivelet e para krizës. Ecurinë më të mirë po e shënojnë eksportet e metaleve, si rrjedhojë e kërkesës së fortë dhe shtrenjtimi të ndjeshëm të çmimeve.

Tekstilet e këpucët mbeten në krizë

Tekstilet dhe këpucët, grupi kryesor eksportues në vend, vijojnë të vuajnë pasojat e karantinave të reja të Europës. Ndonëse me rritje prej 17% për 4 mujorin në raport me janar-prill 2020, shitjet e këtij grupi vijojnë të mbeten 13% më të ulëta në raport me 4 mujorin normal të 2019-s.

Florian Zekja përfaqësues i shoqatës Pro-Eksport Albania tha për Monitor se ecuria e sektorit në muajin prill ishte negative dhe po përshkallëzohet edhe për majin dhe qershorin. Faktori kryesor sipas tij është mungesa e shitjeve nga mbyllja akoma e Italisë.

“Sektori ende vuan nga mungesa e porosive të reja nga Italia, pasi dyqanet e shitjes dhe panairet vazhdojnë të jenë të mbyllura. Për shkak të pandemisë në Itali qendrat tregtare funksiononin vetëm në ditës e javës, ndërsa në fundjave qëndronin të mbyllura. Për shkak të stokut të lartë të krijuar në magazina nga mungesa e shitjeve, si për veshjet e modës dhe të këpucëve, (që edhe me nisjen e sezonit të ri në qershor, nuk pritet të ketë shitje), partnerët tanë në Itali ende nuk janë të interesuar për kontrata të reja. Disa kompani për t’i mbijetuar krizës nga Covid-19 kanë nisur zbatimin e kontratave me Kinën dhe Tunizinë, por edhe këto janë shumë sporadike. Për këto arsye parashikoj që sektori do të vazhdojë të jetë me rënie deri në fund të këtij viti”, tha z. Zekja.

Pesha e tekstileve e këpucëve ndaj totalit, për 4 mujorin zbriti në 33%, nga 38% në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, por duke vijuar të ruajë kreun si grupi më i madh eksportues në vend.

Kurum nuk përballon dot kërkesën e fortë për metale

Eksportet e materialeve të ndërtimit dhe metaleve, grupi i dytë më i madh eksportues në vend (me 19% të totalit) u trefishuan në prill. Një vit më parë, Kurum, prodhuesi i çelikut dhe eksportuesi i dytë më i madh në vend pas Bankers Petroleum, u detyrua të mbyllë aktivitetin për pak ditë, si rrjedhojë e pandemisë. Që nga vera e vitit të kaluar, kompania filloi të marrë veten dhe tashmë vijon eksportin në rajon. Për 4 mujorin, eksportet e këtij grupi u rritën me 92%, ndërsa janë 32% më të larta edhe se janar-prill 2019-a. Arif Shkalla, drejtor ekonomik i Kurum thotë se përmirësimi ka ardhur nga rritja e kërkesës si nga tregjet e jashtme të Ballkanit ashtu dhe të brendshme. Kërkesa sipas tij është në nivele rekord dhe ndërkohë çmimet e metaleve në bursat ndërkombëtare po shënojnë rritje të çmendur çdo javë si rrjedhojë e blerjeve të Kinës. Nga ana tjetër, paketat e ndihmës në të gjitha vendet kanë çuar në inflacion. Çmimi i hekur ka arritur aktualisht në 700 euro pa TVSH, nga 460 euro që ishte në prill të një viti më parë dhe 400 euro një vit më parë. “Nuk po arrijmë të përballojmë dot kërkesën”, thotë Shkalla.

Kërkesa është rritur me 50% edhe në tregun e brendshëm, ndërsa edhe importet e metaleve në vend janë zgjeruar ndjeshëm.

Shkalla shton se ndërsa janë të favorizuar nga tregjet e jashtme, nga ana e qeverisë nuk po shohin lehtësi, pasi nuk u rimbursohet TVSH-ja që nga janari 2020 (900 milionë lekë), dhe kanë vonesa në procedurat e eksportit.

Kompania gjithsesi po e shfrytëzon këtë periudhë të mirë për të vijuar me shlyerjen e kredive në banka dhe për të rritur investimet.

Rritje edhe në grupet e tjera

E njëjta tendencë pozitive ka vijuar edhe për mineralet, Lëndët djegëse e energjinë, që është rritur me 61% për 4 mujorin në raport me 2020-n, dhe 40% në krahasim me të njëjtën periudhë 2019. Eksportet drejt Spanjës, që është tregu kryesor i kompanisë prodhuese të naftës, Bankers Petroleum u katërfishuan në prill, të ndihmuara dhe nga shtrenjtimi i naftës në bursa. Pozitivisht në këtë grup ka ndikuar dhe situata e mirë energjetike, duke ndikuar në rritjen e eksporteve të energjisë.

Grupi i ushqime pije dhe duhan ka vijuar tendencën pozitive të nisur prej tre vitesh, duke u zgjeruar me 20% për 4 mujorin. Ky grup ishte më pak i ndikuari nga kriza.

Me ecuri pozitive ishin dhe makineritë pajisjet e pjesët e këmbimit, shitjet e të cilit u rritën me 16% në raport me 4 mujorin 2020 dhe 23% në raport me të njëjtën periudhë 2019.

Rritet deficiti tregtar

Sipas INSTAT, Në katërmujorin e parë 2021 eksportet e mallrave arritën vlerën 109 mld lekë, duke u rritur me 34,9%, krahasuar me një vit më parë dhe importet e mallrave arritën vlerën 225mld lekë, duke u rritur me 29,0%, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 116mld lekë, duke u rritur me 24,0%, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2020.

Rriten eksportet drejt të gjitha shteteve

Sipas INSTAT, Në muajin Prill 2021, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Prill 2020 janë: Italia (95,8 %), Kosova (172,9 %) dhe Gjermania (24,3 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë: Ukraina (37,2 %), Bosnje/Hercegovina (13,0 %) dhe Rumania (22,2 %).

Gjatë këtij katërmujori vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (29,3 %), Kosova (62,8 %) dhe Gjermania (12,2 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Franca (18,2 %), Mbretëria e Bashkuar (14,9 %) dhe Ukraina (17,7 %).

Në muajin Prill 2021, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me Prill 2020 janë: Italia (133,3 %), Turqia (118,1 %) dhe Kina (108,9 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: SHBA (0,1 %), Zvicra (11,9 %) dhe Kroacia (0,1 %).

Gjatë këtij katërmujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (44,9 %), Turqia (53,2 %) dhe Kina (47,5 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Rusia (37,0 %), Zvicra (11,9 %) dhe Ukraina (2,0 %).

Shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së zënë 59,3 %, të gjithë tregtisë. Në Prill 2021, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 68,9 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 54,9 % të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (30,0 %), Turqia (8,0 %), Kina (7,2 %) dhe Gjermania (7,0 %).

Shkëmbimet tregtare, për katërmujorin e parë 2021, me vendet e BE-së zënë 62,4 % të gjithë tregtisë. Në periudhën Janar – Prill 2021, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 74,1 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 56,7 % të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (31,8 %), Turqia (7,7 %), Greqia (7,1 %) dhe Kina (7,1 %).

MONITOR

 

Artikuj të ngjashem

Instagram

Më të lexuarat