“E kisha si vëlla”/ Dëshmia e autorit të vrasjes së Tiranë. Zbardhet dinamika e ngjarjes

Zbardhet dëshmia e Marjus Demës, i cili disa ditë më parë në kryeqytet qëlloi me armë zjarri Mehmet Qemën, duke e lënë të vdekur. Në dëshminë e dhënë për hetuesit për ngjarjen e së Hënës në 10 Majit, ndodhur rreth orës 23:15 në rrugën “5 Maj”, 27-vjeçari Dema shpreh pendesë, ndërsa shton se vrasja ishte aksidentale dhe viktimën e kishte si vëlla.

Ndërkohë, pamjet e një kamera sigurie kanë filmuar momentet e vrasjes, që janë zbardhur në dosjen që prokuroria e ka dërguar në gjykatë.

Këtë të Shtunë, Dema i cili akuzohet për vrasje me dashje dhe armëmbajtje pa leje, bashkë me personat e tjerë që ishin të pranishëm, të akuzuar për moskallëzim krimi apo veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës, kanë dalë para gjykatës së Tiranës, për tu njohur me masën e sigurisë.

Si ndodhi vrasja

Sipas dosjes së prokurorisë: Nga transkriptimi i pamjeve filmike me proces verbal, rezulton se në monitor shfaqet  data 10-05-2021, ora 23:03, shfaqet një ambient i hapur para një objekti ku në një largësi një metër nga muri ndodhet një tavolinë me disa karrige  ku ndodhen 7 persona. 3 persona janë në këmbë rreth tavolinës të cilët duken që konsumojnë ushqim.

Në anën tjetër të rrugës, shikohet një shtyllë ndriçimi elektrike funksionale. Në dy anët e tavolinës ndodhen 2 lule dekorative. Pikërisht ngjitur me lulen, në anën  e majtë ndodhet një shtetas që mban veshur një bluzë të bardhë.

Personi me rroba të zeza dhe një logo me ngjyrë të bardhë (shenja e kafkës ) në shpinë mban në dorën e majtë një send, në dukje pistoletë dhe shikohet që konsumon ushqim.

Me dorën e majtë e drejton armën në drejtim paralel me një person tjetër me veshje të bardhë, që largohet me shpejtësi dhe në moment personi me armë ja drejton atë një personi tjetër që ishte ulur  ngjitur me të në tavolinë.

Ky person i ngre dorën e majtë, paralelisht ngrihet në këmbë, personi me armë në atë moment lëviz djepin luajtës me dorën e djathtë dhe pikërisht në këtë moment shikohet që personi me rroba të bardha rrëzohet në tokë.

Personi që e qëllon menjëherë e kap për mesi për të mos e lënë të bjerë në tokë dhe e ul përsëri në karrige, merr armën dhe do ta hedhë.

Në këtë moment, vjen nga ana tjetër e tavolinës, përsëri personi me xhup të bardhë dhe ai ja jep armën këtij personi, i cili largohet megjithë armën ndërsa personi që qëlloi vendos duart në kokë.

Tre persona të tjerë afrohen tek personi që është rrëzuar për t’i dhënë ndihmë. Në këtë moment, tek shtylla elektrike vjen një motor në dukej papaq picerie që ndalon. Pamje të tjera nuk janë marrë nga policia.

Dëshmia

Në dosjen e prokurorisë zbardhet edhe dëshmia e autorit. Ai ka deklaruar se në orën 22:30 ka qenë duke qëndruar jashtë lokalit me shokët.

Tregon se pasi kishin pirë pak me shokët, gjatë kohës që po luante dhe po bënte shaka me Xhulianon dhe Mehmetin me një armë pistoletë që e kishte gjetur, pa dashje e kishte shkrepur armën dhe aksidentalisht kishte qëlluar Mehmetin.

Me përgjegjësi të plotë deklaron se çdo gjë kishte ndodhur ka qenë e pavullnetshme nga ana e tij, se Mehmet Qemën e kishte pasur si vëlla dhe shumë shok të ngushtë dhe nuk kishte pasur me të në asnjë rast konflikt dhe për këtë që ka ndodhur ishte shumë i penduar për çfarë kishte ndodhur.

Shkrepja e armës, sipas autorit, kishte ndodhur në mënyrë të pavullnetshme dhe nuk kishte ditur se arma me të cilën kishte qëlluar Mehmetin kishte pasur fishekë në të si dhe ka sqaruar se për moment ishte shumë i tronditur nga ana psiqike dhe mbante mend se arma kishte qenë në tavolinë dhe ai e kishte marrë për të luajtur me të dhe çdo gjë kishte qenë aksidentale.

Për momentin, shton se kishte qenë komplet i tronditur dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes dhe armën e kishte hedhur në afërsi të një servisi që ndodhej aty pranë, pastaj kishte qarë gjatë gjithë kohës pasi Mehmetin e kishte pasur shumë shok dhe mik, më pas kishte shkuar në policinë e Tiranës dhe ishte dorëzuar.

Artikuj të ngjashem

Instagram

Më të lexuarat