Dolën pa deputet në zgjedhjet e 25 prillit, VV: Jemi të domosdoshëm, do rikthehemi

Lëvizja Vetëvendosje do të vazhdojë të jetë aktive në Shqipëri, duke marrë pjesë edhe në betejat e tjera elektorale.

Paralajmërimin e ka bërë kreu i VV-së në Tiranë Boiken Abazi, ku me anë të një reagimi në rrjetet sociale, e ka cilësuar si të domosdoshme prezencën e Lëvizjes, që ka qendrën në Kosovë, e që ka fituar zgjedhjet në Kosovë, me kryeministër Albin Kurti.

“Ajo që më ka prekur më shumë në këtë fushatë është varfëria e madhe e shumë qytetarëve që kemi takuar. Pasi pashë rezultatet e disa qendrave të votimit kuptova që shumë prej tyre edhe na kishin votuar. Nuk i kishim premtuar as pare as vende pune. Ata, megjithatë, kishin lexuar programin e na kishin votuar, duke sfiduar pamundësinë e duke hedhur poshtë idenë se njeriu nuk e ruan dinjitetin në varfëri. Besimin e tyre tek ne nuk do ta nëpërkëmbim. Do kthehemi e do t’i takojmë të gjithë ata që na kanë mbështetur e shumë të tjerë akoma, sepse Lëvizja tashmë është bërë e njohur, e dashur dhe e domosdoshme për gjithë Shqipërinë”, shprehet Abazi.

Vetëvendosja konkurroi në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit në Shqipëri me tre kandidatët e saj, jo me logon e VV-së, por si të pavarur. Ky ishte edhe një testim i kësaj force, e cila nuk arriti të marrë ndonjë mandat me kandidatët e saj në Tiranë, Gjirokastër dhe në Lezhë. VV-ja ka pasur pretendime për procesin zgjedhor, ndërsa në Kosovë ka pasur shumë kritika dhe debate për përfshirjen e kësaj force politike në zgjedhjet në Shqipëri.

Artikuj të ngjashem

Instagram

Më të lexuarat