Meta: Të shpëtohen sa më shumë jetë, qeveria të rimbursojë kostot e kurimit të qytetarëve

Në një intervistë për emisionin “Aktualitet” të gazetarit Bejdo Malo në Televizionin “Fax News”, Presidenti Ilir Meta apeloi që të shpëtohen sa më shumë jetë në kulmin e pandemisë, siç e cilësoi ai situatën me Covid.

Meta po ashtu apeloi që qeveria të rimbursojë kostot e kurimit të qytetarëve.

Gazetari (Bejdo Malo): Është kohë e vështirë, kohë pandemie, kohë krize. Dua një mesazh nga numri një i shtetit shqiptar!

Presidenti Meta: Jemi në një situatë tepër të rëndë shëndetësore, ekonomike, sociale, por dhe shpirtërore, që është shqetësuese dhe kërcënuese për shumë qytetarë dhe familje shqiptare.

Megjithatë është edhe një moment kërkese për të qëndruar në lartësinë e këtyre sfidave, për t’i përballuar ato me kurajë, me bashkëpunim, me guxim, me transparencë dhe mbi të gjitha, me vendosmëri për të përmirësuar të gjithë parametrat e rënduar apo të përkeqësuar me të cilat ndeshet shoqëria jonë, veçanërisht në drejtim të shëndetit publik, të varfërisë, të punësimit apo të rritjes së papunësisë.

Mjafton t’i referohemi Bankës së Shqipërisë, që konfirmon se më shumë se 50 mijë qytetarë shqiptarë kanë humbur vendet e tyre të punës që nga marsi e deri tani për shkak të efekteve të pandemisë në ekonomi.

Është një panoramë aspak optimiste, por sidoqoftë është edhe një panoramë që duhet të na mobilizojë të gjithëve pozitivisht për ta kaluar këtë situatë me një kosto sa më të lehtë për vendin, për çdo familje shqiptare, nga ana ekonomiko-shoqërore, si dhe për çdo qytetar, në planin e shëndetit.
Shëndeti dhe jeta janë të parat.

Gazetari: Unë kam ndjekur disa mesazhe tuajat, sidomos ato ku ju shprehni dhimbjen apo shprehni ngushëllimet për shumë miq e shokë tuajt që janë ndarë nga jeta, por brenda tyre ka edhe një rreze shprese, një rreze drite dhe një inkurajim për të gjithë ne, që është e shtrenjtë jeta.

Presidenti Meta: Pa asnjë diskutim që situata është kritike. Të mos harrojmë se për fat të keq, përveç qindra qytetarëve, shumë mjekë dhe personel shëndetësor kanë humbur jetën, ç’ka është tepër shqetësuese dhe e dhimbshme.

Shumë të tjerë kanë vuajtur dhe janë me pasoja, sepse kjo kërkon një periudhë të gjatë e të kujdesshme të rehabilitimit, përveç aspektit psikologjik.
Sigurisht që kjo situatë kërkon edhe optimizëm, kurajë dhe forcë për të rritur psikologjinë mjaftueshëm me këtë sfidë, jo vetëm të pandemisë, por edhe me këtë rëndim të situatës ekonomike dhe sociale.

Natyrisht gjatë kësaj kohe unë kam apeluar, që edhe qeveria të bëjë më shumë për të lehtësuar përballimin e pandemisë në pikëpamje të fuqizimit të mëtejshëm të shëndetit publik, të mbështetjes së mjekëve, të infermierëve, të trajtimit më me vëmendje e më me kujdes të të sëmurëve, jo vetëm të atyre që kërkojnë ndihmë në spitale, por edhe të shumë të tjerëve, të cilët i ndjekin kurat nga familjet e tyre.

Një rast i shkëlqyer ishte buxheti i shtetit, për të përqendruar më shumë financa dhe energji në këtë çështje, por unë mendoj se ishte një rast i humbur nga ana e qeverisë, e cila nuk arriti dot të reflektonte e të ngrihej mbi interesa të tjera, që nuk janë ato që përkojnë me shumicën e interesave të qytetarëve shqiptarë dhe me interesin publik në këto momente.

Megjithatë këto thirrje unë do t’i vazhdoj. Do të bëj çdo gjë për të kontribuar pozitivisht në përballimin e kësaj situate, edhe të shëndetit, por edhe të situatës ekonomike e sociale në vend.

Gazetari: Për milionat që shpenzohen, për pandeminë, për PPP siç i shpiku kjo lloj qeverie, kemi një përpjekje të medias për t’u futur, dhe ju i keni përshëndetur të gjithë reporterët që gërmojnë, që kërkojnë të informojnë publikun sinqerisht, por kemi edhe një paqartësi te njerëzit dhe një mungesë transparence.

Presidenti Meta: Ajo që është përgjegjësia e qeverisë është pikërisht trajtimi me përgjegjësi maksimale i situatës, vendosja e prioriteteve, që i shërbejnë përballimit të saj më të mirë, rishikimi i buxhetit dhe i prioriteteve, sepse prioriteti kryesor sot është shëndeti dhe jeta e qytetarëve, është asistenca, është ndihma e të sëmurëve dhe një pjesë e tyre për shkak të varfërisë e të papunësisë nuk kanë mundësi të përballojnë as kostot e kurimit.

Natyrisht, që në këtë periudhë nuk është koha as për të bërë tendera sekretë. Nuk është koha as për të abuzuar me këtë emergjencë shëndetësore dhe aq më tepër për të dhënë koncensione të reja, siç po shohim për fat të keq, në flagrancë të plotë me interesin publik dhe me interesin qytetar.

Unë kam bërë çdo gjë për të rritur frymën e bashkëpunimit, që kur u shfaq pandemia në muajin mars e në vazhdimësi, për të përfshirë edhe opozitën, që nuk është në parlament dhe për të kthyer një situatë sa më konstruktive.

Për fat të keq kjo atmosferë u shkatërrua me shembjen dhe shkatërrimin kriminal të Teatrit Kombëtar, kur vendi ishte në një situatë të jashtëzakonshme.

Nuk ka pasur një vullnet për ta trajtuar këtë krizë me profesionalizëm, për të rritur gjithmonë besimin e publikut te autoritetet shtetërore dhe publike, por ka pasur sjellje shumë partizane, të paqëndrueshme dhe në varësi të interesave afatshkurtra politike.

Sidoqoftë çdo reflektim do të ishte pozitiv, por e shoh pak të vështirë e të pamundur me këtë arrogancë që vjen nga uzurpimi i të gjitha pushteteve.

Artikuj të ngjashem

Instagram

Më të lexuarat